Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NDËRROHET TIMONIERI EDHE TE KRYEQYTETASIT

Pas shumë kohësh, 2 Korriku ndërron trajnerin!

Pas suksesit historik me të rinjtë në Youth Champions League, 2 Korriku emëroi Labinot Hazirin në krye të seniorëve/ Foto: FC2Korriku/ fb

Pas shumë kohësh, 2 Korriku ndërron trajnerin!


14 February, 2025 @11:15

Skuadra e 2 Korrikut gjatë ditëve të kaluara ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin e kahmotshëm të ekipit të parë të tyre, Besim Ademi. Punëtori i palodhur, Ademi ka kryer për disa vite punën e kryetrajnerit të 2 Korrikut, ndërsa më parë ka punuar edhe në pozita tjera në klub, për rreth 16 vite!

2 Korriku ka shprehur falenderim të madh për punën dhe përkushtimin e treguar nga Ademi, ndërsa një ditë më vonë ka bërë të ditur edhe emrin e trajnerit të ri të ekipit të parë, me të cilin do të nis punën nga pjesa pranverore e stinorit që nis këtë fundjavë.

Besim Ademi @ 2 Korriku

“FC 2 Korriku e njofton opinionin se me marrëveshje të dyanshme është mbyllur bashkëpunimi me kryetrajnerin e ekipit senior, Besim Ademin.
Pas aventurës që zgjati plot 16 vite, ka ardhur koha që klubi kryeqytetas dhe trajneri Ademi t’i ndajnë rrugët, duke qenë falënderues ndaj njëri-tjetrit për të gjitha momentet dhe sfidat e kaluara ndër vite.
FC 2 Korriku është jashtëzakonisht i lumtur për faktin se brenda klubit ka pasur një njeri si Besim Ademi, sukseset dhe përkushtimi i të cilit nuk kanë munguar, qoftë në kohën e angazhimit të tij si trajner dhe Drejtor i Shkollës së Futbollit, ashtu edhe në periudhën kohore si drejtues i ekipit të parë.
Drejtori Gjeneral i klubit, Shaban Baholli, në emër të të gjithë anëtarëve të klubit, e falënderon dhe i uron shumë suksese në të ardhmen trajnerit Ademi, gjithnjë duke qenë mirënjohës për kontributin dhe angazhimin e pashoq të tij.”
— shkroi FC 2 Korriku në njoftim.

Ai që kori suksese të mëdha dhe historike në futbollin kosovar me ekipin e të rinjve të 2 Korrikut duke arritur larg në Youth Champions League, Labinot Haziri tash e tutje është timonier e seniorëve dhe do të zë vendin bosh të lënë nga Ademi.

Haziri është rritur si futbollist, por edhe si trajner te 2 Korriku. Kurse, suksesi i arritur këtë stinor në Youth Champions League bëri dallimin e madh dhe katapultimin e tij me punën e treguar.

Labinot Haziri @ 2 Korriku

“Me vendim të Bordit Drejtues, nga 2 Korriku afrimin e trajnerit të ri e konfirmon Drejtori Gjeneral, Shaban Baholli, i cili mes tjerash e vlerësoi shumë faktin që një trajneri perspektiv i është ofruar një mundësi e tillë.
Labinot Haziri, i lindur më 01.01.1992, ka plot dhjetë vite që angazhohet si kryetrajner, duke arritur kësisoj përvojë shumë të vlefshme në sportin e futbollit, gjë të cilën do të angazhohet që ta transmetoj edhe në futbollin senior. “
— bëri të ditur 2 Korriku.

Tashmë Haziri ka nisur punën dhe do të nxjerrë verdhekaltërit nga kryeqyteti në ndeshjen e tij debutuese ndaj ekipit të Flamurtarit, në derbi lokal në kuadër të xhiros XV të Ligës së Parë - Grupi B.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë