PARA FILLIMIT TË STINORIT

Trajneri i Flamurtarit, largohet!
13 February, 2025 @11:20
Disa ditë para fillimit të stinorit të ri në Ligën e Parë, trajneri që i solli pikët e para Flamurtarit këtë stinor pas nisjes katastrofale të stinorit, Erdin Hashani, ka bërë të ditur se është ndarë me ekipin kuqezi nga Prishtina.
“Desha t’ju informoj se nga sot Gramosi dhe unë, nuk do të jemi më pjesë e KF Flamurtarit. Klubit i urojmë suksese! Një falenderim i veçantë është për secilin lojtar dhe kryesinë e klubit,” ka shkruar në llogarinë e tij private Hashani, duke theksuar që është larguar bashkë me ndihmësin, Gramos Emini.
Flamurtari e nisi stinorin në Grupin B të Ligës së Parë me trajnerin Faruk Statovci. Por, ai pas pesë javësh nuk kishte asnjë pikë me ekipin dhe skuadra qëndronte në fund të tabelës.
Më pas, pas një xhiroje me Eminin në krye, Flamurtari emëroi Erdin Hashanin trajner prej xhiros së shtatë ku arriti të regjistrojë pikët e para si dhe duke bërë befasinë e madhe, pas fitores ndaj lideres së grupit, Prishtina e Re.
Flamurtari me Hashanin arriti dy fitore, tre barazime e tre humbje, që e bënë ekipin për të shpresuar në mbijetesë. Flamurtari është ende i fundit në tabelë, ku pas 14 ndeshjeve ka 9 pikë, 2 më pak sesa FUshë Kosova e Kika që janë mbi ta.
Xhiroja e parë pranverore e Ligës së Parë luhet në fundjavën që vjen, kurse Flamurtari ndeshet me 2 Korriun në derbin lokal. Klubi ende nuk ka bërë të ditur se kush do të merr timonin e skuadrës.