PRISHTINA - LLAPI
Pefqeli shpëtimar, mban Prishtinën në luftë për titull
11 May, 2019 @18:09
Mërgim Pefqeli është treguar përsëri vendimtar për Prishtinën e Mirel Josës dhe kësaj radhe në derbi, me golin e tij, bardhekaltërit vendas kanë mposhtur Llapin 1-0.
Pefqeli ka shënuar 2 minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes (88’) 1-0. Ndërsa Prishtina me tre pikët e fituara mbetet në luftë për titull kampioni, derisa Llapit i prishet seria e shtatë fitoreve radhazi dhe 11 ndeshjeve pa humbje në Superligë!
Në anën tjetër Prishtina ka shënuar fitoren e nëntë në 10 ndeshjet e fundit dhe tashmë vazhdon të mbetet 2 pikë larg Feronikelit që është në krye të Superligës.
Sa i përket duelit të sotëm, stadiumi Fadil Vokrri ishte plot. Llapi rrezikoi me Elvis Prenqin në fillim të ndeshjes, ndërsa Basit Khalidit iu anulua goli për shkak të ofsajdit, në minutën e 20-të (që duhet të shikohet mirë).
Pastaj Llapi përmes Festim Alidemës tentoi përsëri, nga largësia. Visar Bekaj u tregua fantastik. S’kishte gol.
Në anën tjetër, Khalid përsëri afër shënimit, derisa para pushimit Valmir Veliu i Llapit pësoi një lëndim të rëndë që tmerroi të gjithë, por sipas informatave të fundit ai ka tejkaluar gjithçka.
Në pjesë të dytë Visar Bekaj ka qenë në element. Ai ka mbrojtur një tentim të mirë të Ahmed Januzit, ndërsa në anën tjetër ka qenë përsëri afrikani Khalid që s’ka shënuar.
Derisa erdh koha për Pefqelin. Ky i fundit shënoi për 1-0 në minutën e 88 të ndeshjes për tre pikë të mëdha të Prishtinës që tashmë pritet të shkojë deri në xhirot e fundit në luftë për titull bashkë me Feronikelin. Goditje direkte nga zona, për të mposhtur Eglant Haxhon e Llapit.
Xhiron që vjen, Prishtina pret Trepçën’89 në Fadil Vokrri, ndërsa Llapi luan derbin e radhës, me liderin Feronikeli në Zahir Pajaziti.
i:
Prishtina (4-2-3-1): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 3. Jamal Arago (21. Argjend Mustafa – 66’) – 18. Ergyn Ahmeti (19. Alen Jasharoski – 82’), 15. Gauthier Mankenda, 27. Marjo Morina (77. Mergim Pefqeli – 60’) – 9. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Donat Hasanaj, Ahmet Haliti, Lorik Boshnjaku. Kryetrajner: Mirel Josa. Llapi: 12. Eglantin Haxho – 8. Benjamin Emini (18. Ilir Blakqori – 74’), 14. Egzon Sinani, 5. Elvis Prençi, 4. Bujar Idrizi, 16. Hamdi Namani /c/, 20. Behar Maliqi (11. Miran Maksuti – 86’), 7. Mentor Zhdrella, 77. Valmir Veliu (25. Remzifaik Selmani – 42’), 97. Festim Alidema, 27. Ahmed Januzi. Kryetrajner: Tahir Batatina. |