GRUPI B
Peja kërkon fitore ndaj liderit të grupit
6 December, 2016 @12:10
Verdhezinjtë pas fitores së lodhshme ndaj Trepçës në fundjavë dhe humbjes së papritur në xhiron e kaluar të BIBL nga Tirana, kërkojnë që të mposhtin liderin e Grupit B.
Sutjeska është mysafire e ekipit pejan nesër mbrëma në “Karagaç” dhe aktualisht ka një humbje të vetme në 5 ndeshjet e zhvilluara të deritashme në grup.
Peja në anën tjetër kërkon të dëshmojë se ndeshja ndaj Tiranës ka qenë vetëm një ditë e keqe për ekipin dhe shpejt presin këndelljen.
Në këtë ndeshje mund të debutojë edhe përforcimi i ri i skuadrës, Jamie Skeen, që u paralajmërua ditë më parë nga verdhezinjtë.
Sutjeska në fundjavë në ligën malazeze pësoi në derbi ndaj Teodos minimalisht 86-85, ndërsa më të mirët në këtë ndeshje për ekipin rival të Pejës kanë qenë Goran Gajovic me 20 pikë, 7 kërcime e 6 asistime si dhe Djoko Salic me 16 pikë të shënuara.
Te Peja në formë të mirë është përforcimi Cameron Rundles, që po tregohet jashtëzakonisht preciz në gjuajtjet e tij, ndërsa Alban Veseli nga forcat vendore thjesht duket i pandalshëm kur është në formë.
Me fillim nga ora 19 nesër mbrëma (7 dhjetor 2016, e mërkurë) me refer kryesor Vladimir Tsekovin në Peja kërkon fitoren e tretë në Grupin B.