KUPA e KOSOVËS

Përcaktohet data për shortin e 1/8 së Kupës së Kosovës
4 December, 2021 @17:49
Pas përfundimit të 1/16 së finales së Kupës së Kosovës në futboll përgjatë mesjavës që e lamë pas, është vendosur data për shortin e një të tetës së finales.
Kështu, më 7 dhjetor në zyret e FFK-së është bërë e ditur që me fillim prej orës 11:00 do të tërhiqet shorti për duelet e radhës në garën më masovike të futbollit kosovar, fituesi i së cilës del në garat evropiane.
Në short, do të jenë të inkuadruara nëntë ekipet nga Superliga, gjashtë skuadra nga Liga e Parë dhe një nga Liga e Dytë: Llapi, Gjilani, Drenica, Prishtina, Drita, Dukagjini, Malisheva, Ulpiana, Ballkani, Ramiz Sadiku, Fushë Kosova, 2 Korriku, Onixi, Arbëria, Ferizaj dhe KEK-u.
Ndeshjet e së tetës së finales së Kupës do të luhen në shkurt të vitit të ardhshëm.
Fitues i fundit i Kupës së Kosovës është Llapi, që kishte mposhtur pas penalltive Dukagjinin në finalen e kaluar të garës, për të siguruar pjesëmarrjen e parë në gara ndërkombëtare dhe njëkohësisht për të fituar trofeun e parë në histori të klubit.