FERIZAJI 0-3 BALLKANI

Prioritet kampionati, Ballkani lehtë ndaj Ferizajit
20 September, 2022 @11:40
Ballkani ka shënuar edhe fitoren e katërt të stinorit nga pesë ndeshje që ka zhvilluar deri tash. Të enjten përkundër se mysafir, Ballkani ka tejkaluar Ferizajin më lehtë sesa që ka pritur duke shënuar fitore bindëse 0-3 [Albion Rrahmani 43, Leotrim Bekteshi 68, Meriton Korenica 77], derisa ekipi ka shkëlqyer me lojë.
Kampionët e Kosovës kanë dominuar në ndeshje, ndërsa rastet që nga fillimi i saj me Nazmi Gripshin, Meriton Korenicën, Ermal Kransiqin, e Albion Rrahmanin kanë paralajmëruar golin, që erdhi pak para fundit të pjesës së parë.
Në pjesë të dytë edhe dy gola tjerë për suharekasit, që erdhën nga zëvendësuesi Leotrim Bekteshi, i asistuar nga Meriton Korenica, ndërsa më pas edhe Meriton Korenica shënoi për rezultatin përfundimtar, pas asistimit nga Armend Thaçi.
Me këtë fitore Ballkani ka mbledhë 12 pikë nga 5 ndeshje, me tre ndeshje mangu, që janë shtyer për shkak të angazhimit ndërkombëtar të ekipit.
Ferizaji i Arbnor Morinës në anën tjetër deri tash ka një fitore të vetme, ndërsa ka regjistruar edhe humbjen e tretë sezonale.
Edhe pas ndeshjes, përkundër angazhimit në gara ndërkombëtare, trajneri Ilir Daja ka thënë se Ballkani prioritet e ka kampionatin, ndërsa në gara evropiane do të tentojnë të japin maksimumin për të paraqitur sa më mirë ekipin dhe futbollin kosovar në përgjithësi.