DEBUTUESIT NË DETYRË

Prishtina e Re shton edhe përvojë në ekip
10 July, 2025 @12:12
Ekipi i ri i Superligës, që do të debutojë në stinorin 2025/26 aty, Prishtina e Re në ditët e kaluara ka treguar angazhim të madh sa i përket tregut të transferimeve të lojtarëve.
Bardhekaltërit që fituan Grupin B të Ligës së Parë dhe siguruan Superligën direkt, pas vazhdimit të marrëveshjes me trajnerin që e arritën historinë Elon Berisha, kanë mbajtur pjesën e rëndësishme të ekipit duke vazhduar kontratat, por edhe shtuan lojtarë me përvojë nga Superliga si dhe të tjerë, për të shtuar konkurrencën në ekip.
Kështu, ata njoftuan në ditët e kaluara se vazhduan kontratat me futbollistët që bartën barrën kryesore në stinorin 204/25 si: Bachare Razack, Fatlind Azizi, Lis Behrami, Lorik Dobratiqi, Guri Hana, Zigur Biqkaj, Endrit Baholli, Astrit Berisha, Adonis Zeqiri, Ermal Vitija dhe kapiteni Samir Sadriu.
Por, asgjë nuk përfundoi këtu, pasi që ekipi shpejt shtoi edhe përforcimet si Aron Babaj, pastaj Drilon Fazliun që erdhi prej Vushtrrisë, përvojë në portë me Florjan Smakiqin nga Drita, në mesfushë Ergyn Ahmetin që vjen nga Llapi, Donat Hasanaj nga Suhareka, Maycon Morales portieri që erdhi nga Drenica, Adrijan Rudovic një qendërmbrojtës që kalon prej ekipit malajzias, Kuala Lumpur, Elvis Prençi me përvojë nga Superliga prej Skënderbeut, Abit Saliu nga 2 Korriku, mesfushori Amos Dadet nga Voska Sport, mesfushori premtues Arlind Shabani nga Ferizaji, sulmuesi Toni Gomes dhe sulmuesi i krahut të Ramiz Sadikut, Rion Rushiti që u dallua me gola aty.
Konsolidimi i skuadrës Prishtina e Re po vazhdon dhe drejtuesit e skuadrës menzi presin të shohin debutimin e tyre në Superligë, ndërsa tash kanë paralajmëruar edhe miqësoren ndaj Llapit (luhet sot) për të matur forcat dhe komponuar ekipin për edicionin që vjen.