Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BARAZIM NË "FADIL VOKRRI"

Prishtina me 10 lojtarë siguron pikë ndaj Llapit

Foto: FCPrishtina/ fb

Prishtina me 10 lojtarë siguron pikë ndaj Llapit


5 November, 2023 @21:00

Prishtina edhe pse mbeti me 10 lojtarë në fillim të pjesës së dytë dhe pësoi dy gola për të rënë në disavantazh ndaj Llapit, ka arritur të rikthehet në lojë dhe të shënojë për barazim, për të siguruar pikë si vendas në “Fadil Vokrri” ndaj Llapit, me përfundimtaren: Prishtina 2-2 Llapi.

Prishtina erdhi e para në epërsi me golin e Jalen Blesës (28’). Ai shënoi nga penalltia, e cila erdhi pasi që në zonë u pengua Leotrim Kryeziu. Para kësaj, rastet për Prishtinën, kur Mërgim Pefqeli (12’) dhe Albion Kurtaj (15’) kishin provuar.

Në pjesë të dytë Muhamed Useini merr karton të kuq te Prishtina, pas një goditjeje të pakontrolluar me këmbë në drejtim të kokës së kundërshtarit. Prishtina mbeti me 10 lojtarë që prej minutës (47’) ndërsa Llapi shfrytëzoi komplet këtë situatë.

Së pari Muhamet Hyseni, golashënuesi më i mirë i Superligës aktualisht, shënoi për të barazuar (54’), kur gaboi Ardit Nika dhe ky e shfrytëzoi. Ndërsa pas rasteve të Ilir Blakçorit (57’) dhe Hamdi Namanit (62’), Hyseni del përsëri në skenë për t’ia dhënë avantazhin Llapit, kur shënoi me asistim të Valmir Veliut për 1-2 (67’).

TABELA AKTUALE

Por, Prishtina nuk u dorëzua dhe pas 10 minutash edhe pse me një lojtar më pak dhe në disavantazh mblodhi forcë për të shënuar, derisa zëvendësuesi Amar Demolli asistoi për Blesën, që barazoi 2-2 (77’). Pas kësaj gola më nuk kishte, ndërsa ekipet ndanë pikët, me rezultatin përfundimtar të ndeshjes: Prishtina 2-2 Llapi [Jalen Blesa 28’pen., 77’ - Muhamet Hyseni 54’, 67’].

Trajneri i ri i Prishtinës, Emmanuel Egbo, tashmë në tri ndeshjet e para të tij ka marrë të trija rezultatet futbollistike, pasi që pas fitores dhe humbjes, ka përjetuar edhe barazimin e parë në Superligë. Llapi në anën tjetër, shënon barazimin e tretë me radhë në elitë.

Llapi mbette i treti në renditje me këtë barazim, ndërsa pas 13 ndeshjeve ka 22 pikë, sa ka edhe Drita në pozitë të dytë. Prishtina e pesta në renditje, me 17 pikë sa ka edhe Malisheva në të katërtin vend.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga