PRIZRENI - PRISHTINA
Prishtina me vështirësi në “Sezai Surroi”
15 January, 2019 @18:57
Në ndeshjen e mbetur nga xhiroja e VII e Superligës së Kosovës në basketboll, Prishtina me mjaft vështirësi ka arritur ta mposhtë skuadrën vendase të Prizrenit.
Për dallim nga fitoret e tjera të shënuara këtë sezon, Prishtina në takimin e sontëm në “Sezai Surroi” u ‘djersit’ shumë më tepër. Skuadra vendase zhvilloi një takim mjaft të mirë, mirëpo ishte përvoja e kryeqytetasve ajo që u tregua vendimtare në çerekun e fundit të përballjes dhe takimi u mbyll me fitoren e mysafirëve.
Të udhëhequr nga Elliott Cole, prizrenasit e mbyllën në epërsi çerekun e parë (28-25), ndërsa një çerek i dytë i barabartë (22-22) bëri që skuadrat në pushim të shkonin me epërsinë e vendasve, 50-47. Pothuajse gjysmën e pikëve të Prishtinës në këtë pjesë, 23 nga 47, i shënoi nga Dardan Berisha, kurse te vendasit më i dalluari në gjysmëlojën e parë ishte Elliott Cole me 11 pikë.
Përmirësim në lojën e Prishtinës u vërejt në çerekun e tretë, pas të cilit skuadra kryeqytetase e riktheu epërsinë, e më pas epërsia u ruajt deri në fund të ndeshjes dhe ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 86-92.
Elliott Cole, lojtari më i mirë i Prizrenit në pjesën e parë, në pjesën e dytë nuk shënoi as edhe një pikë, gjë që ndikoi në rënien e lojës te skuadra prizrenase.
Më i dalluari te Prizreni sonte ishte Malcom Canada me 28 pikë, 5 kërcime e 3 asistime, kurse te Prishtina u veçua Dardan Berisha me 40 pikë, 4 kërcime e 5 asistime.
Me këtë fitore bilanci perfekt i Prishtinës vazhdon, kurse Prizreni pas 14 ndeshjeve ka bilanc prej 5 fitoreve e 9 humbjeve.