INFORMATORI NR 9 I SUPERLIGËS
Prishtinës i kushton 800€ fitorja ndaj Pejës
1 December, 2016 @9:54
Komesari i Garave të FBK-së ka publikuar sot Informatorin Nr 9 të Superligës së Kosovës, ku ka bërë të ditur se Sigal Prishtina është gjobitur me 800 euro të holla për parregullësi në superderbi ndaj Pejës dhe se ndeshja është regjistruar me rezultatin e arritur në fushë të lojës, 74-58 për Prishtinën.
“Sigal Prishtina ka aktivizuar lojtarin e grupmoshës nën 20 vjeçare, Rinor Peci, për më shumë se 15 minuta në lojë dhe me këtë ka respektuar nenin 11.5, por nuk e ka pasur edhe lojtarin e dytë të kësaj grupmoshe në ndeshje, prandaj konform nenit 11.6.1, dënohet me 500 euro,” ka qenë gjoba e parë.
Ndërsa e dyta ka të bëj me mosdorëzimin e DVD-së së ndeshjes Prishtina-Peja, që konform nenit 48.17 të Propozicioneve të Garave i kushton bardhekaltërve me 300 euro.
Ndër të tjera, edhe trajneri kroat i Prishtinës, Jeronimo Sarin, ka marrë një gjobë prej 75 eurove për gabim teknik në këtë ndeshje.
Sigal Prishtina në këtë ndeshje ia shkaktoi humbjen e parë Pejës në kampionat. Peja në anën tjetër e ka quajtur skandaloz vendimin e FBK-së në faqen e Facebookut të ekipit, mirëpo zyrtarisht nuk është ankuar në FBK. Peja ka shprehur shqetësim pasi që Prishtina nuk kishte në lojë dy lojtarë nën 20 vjeç në bankë për këtë ndeshje.
FBK ndërkaq e ka interpretuar rregulloren se mosinkuadrimi i një lojtari nën 20 vjeç në lojë dhe mosinkuadrimi i dy lojtarëve nën 20 vjeç në protokoll të ndeshjes përbën situata të ndryshme, të ndara dhe sanksionohen si shkelje të ndara. Ky interpretim ka mundësuar që Prishtina të gjobitet përsëri me 500 euro, por të mos e humb ndeshjen me rezultat zyrtar. Herën e parë Prishtina ishte gjobitur me 500 euro për mosinkuadrim të lojtari nën 20 vjeç në ndeshje, në duel ndaj Bashkimit.