FINALJA E MADHE
Pritja gjysmë shekullore për titullin e Milwaukee Bucks
21 July, 2021 @8:49
Greku Giannis Antetokounmpo ka shënuar 50 pikë ndërsa Milwuakee Bucks ka fituar titullin e parë pas 50 vitesh, sot me fitore ndaj Phoenix Sunsit 105-98.
Kjo ishte ndeshja e gjashtë e serisë, ndërsa Bucks për serinë 4-2 për të fituar trofeun e madh të kampionit të NBA-së, para 20 mijë tifozëve brenda në sallë dhe mbi 65 mijë jashtë Fiserv Forum që festonin.
Përndryshe, ata u bënë ekipi i pestë në histori që fiton serinë finale duke qenë 0-2 në disavantazh!
“Jam tejet i lumtur pasi që ne arritëm këtë sukses me këtë ekip, për Milwaukeen,” ka thënë Antetokounmpo pas fitores.
Në anën tjetër Suns kërkonin titullin e parë në histori të klubit që ka 53 vjet, derisa më parë kishin humbur finalet e vitit 1976 dhe 1993. Në listë iu shtua edhe një humbje në finale, 2021.
Por greku Antetokounmpo është treguar i pakapshëm, duke u bërë lojtari i shtatë në histori të NBA që arrin t’i shënojë 50 pikë në një ndeshje të serisë finale.
Trajneri i Bucks, Mike Budenholzer e ka quajtur alo-qendrën greke si një “qenie speciale njerëzore”.
“Kam mësuar shumë nga ai. Ai është një lider i një lloji të veçantë. Këta lojtarë janë kampionë çdo ditë. Ata u ngritën përditë në lojë, u bënë më të mirë dhe ja ku arritën,” ka thënë ai.
Giannis kreu ndeshjen me 50 pikë, 14 kërcime dhe 5 bllokada! Kjo ishte ndeshja e tretë e tij në serinë finale ku kalon 40-pikëshin dhe 10-kërcimet për ndeshje. Dominim total i tij në seri. Mesatarja e tij e shutit në serinë finale ka qenë 61.8%, shifër kjo e paaritur më parë nga ndonjë lojtar.