RAHOVECI - PEJA

Borozani / L.Dema
Rahoveci mposht Pejën ‘e përgjysmuar’
1 December, 2017 @19:36
Në ndeshjen hapëse të xhiros së XI, Rahoveci ka shënuar fitore me rezultat 95-52 ndaj skuadrës së Pejës në “Shani Nushi” të Gjakovës.
‘Vreshtarët’ ishin skuadër më e mirë që nga çereku i parë dhe fituesi nuk ishte në dyshim pothuajse për asnjë moment, me Pejën në anën tjetër që pas 30 minutave lojë kishte shënuar vetëm 28 pikë.
Duhet përmendur që Peja sonte ishte pa lojtarët më të mirë të skuadrës. Arian Qallaku, Beq Kovaqi, Leonard Mekaj, Rron Grapci e Arti Hajdari nuk ishin pjesë e 12-shes së pejanëve sonte. Se pse munguan këta lojtarë sonte, do të bëhet e ditur më vonë.
Më të dalluarit te Rahoveci sonte ishin Xavier Newson me 24 pikë, 2 kërcime e 1 asistim si dhe Gazmend Sinani, i cili në debutimin e tij me Rahovecin luajti me double-double prej 17 pikëve, 18 kërcimeve e 1 asistimi. Te Peja sonte u veçuan Adonis Devolli me 12 pikë, 5 kërcime, 2 asistime dhe Jusuf Kelmendi me 11 pikë e 2 kërcime.
Kjo fitore e ngrit Rahovecin në vendin e dytë, të paktën përkohësisht, me Bashkimin që ndeshjen e vet ndaj Yllit nuk e ka përfunduar ende, ndërsa Peja në anën tjetër ka bilanc 5-6 në vendin e pestë.