DRAGAN RADOVIC
Rotacioni i vogël në pozitat 4 dhe 5, shkaktoi humbjen
26 October, 2016 @15:02
Bashkimi e pësoi dje edhe humbjen e tretë rresht në Ligën Ballkanike, duke u mposhtur nga skuadra Beroe me rezultat 72-63.
Shkaku i kësaj humbjeje, sipas trajnerit të Bashkimit, Dragan Radovic, ishte rotacioni i vogël për pozitat 4 dhe 5. Ai në deklaratën e tij pas ndeshjes tha se kishte shumë pak opcione për këto pozita, me ç‘rast humbje ishte e pashmangshme ndaj bullgarëve.
“Unë dua ta uroj Beroen për suksesin. Ne kemi pasur shumë pak opcione dhe rotacion shumë të vogël për pozitat 4 dhe 5, gjë që ishte vendimtare. Beroe e ruajti mirë ritmin gjatë gjithë ndeshjes dhe në fund ne humbën disa topa të thjeshta dhe kjo e vendosi ndeshjen. Unë nuk mund të jem i lumtur pas humbjes, por ne do të provojmë të përmirësohemi dhe të jemi në tjetër nivel në ndeshjen e radhës,” tha Radovic, për faqen zyrtare të Ligës Ballkanike.
Radovic kundër Beroes e kishte në dispozicion vetëm qendrën Jordan Dickerson, pasi qendra tjetër e skuadrës, Gazmend Sinani , ditë më parë njoftoi për largimin e tij, kurse as basketbollisti i pozitës 4, Marko Popovic, nuk u paraqit fare në këtë ndeshje, për shkak të lëndimit.