KOSOVA (F)
Shatri: Jemi në një mision historik
Teksti: FBK
5 July, 2021 @17:08
Kosova A në konkurrencën e femrave është duke vazhduar përgatitjet për Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.
Kjo është hera e parë që Kosova A te femrat do të garojë në arenën ndërkombëtare zyrtarisht.
Përzgjedhësi Fidan Shatri ka folur për rëndësinë që ka pjesëmarrja në këtë garë. “Kjo është hera e parë që marrim pjesë si Kosova A te femrat. Fillimisht është shumë mirë që është formuar Kosova A dhe të marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Kjo është një mundësi shumë e mirë për basketbollistet me përvojë, por edhe lojtaret e reja të përfaqësojnë vendin në garat ndërkombëtare. Është hera e parë dhe sigurisht se është shumë e veçantë”, është shprehur Shatri për faqen zyrtare të FBK-së.
Por, me cilat ambicie udhëton Kosova? “Ne kemi për synim të japim maksimumin në çdo ndeshje që paraqitemi. Të japim më të mirën tonë, sepse e dimë rëndësinë për të përfaqësuar shtetin. Është nder dhe krenari për të gjithë ne”, shtoi tutje Shatri.
Kosova është në grup me Qipron dhe Luksemburgun. “Nuk ka ndeshje të lehta, sidomos kur kemi parasysh se nuk kemi shumë përvojë ndërkombëtare. Kemi një ekip me lojtare me përvoja dhe të reja. Ne duam të lëmë gjurmë në këtë garë”, nënvizon përzgjedhësi i Kosovës A (femrat).
Kampionati Evropian për Shtete të Vogla zhvillohet nga 20 deri më 25 Korrik. Vashat Dardane janë në grup me Qipron dhe Luksemburgun, kurse në tërësi marrin pjesë shtatë shtete.