RAHOVECI - PRISHTINA
Shpërthen Dardani, për të ruajtur pamposhtshmërinë
10 April, 2019 @21:03
Është dashur një performancë kolosale nga Dardan Berisha [rekord personal i stinorit] për të vazhduar Prishtina serinë e fitoreve në Superligë.
Basketbollisti më i mirë i Kosovës ka shënuar 42 pikë në 40 minuta lojë, 8 kërcime e 6 asistime për të shpëtuar ekipin nga Rahoveci shumë i mirë në Mizahir Isma sonte.
Prishtina ka fituar përballjen me tre pikë epërsi, 91-94 dhe me këtë është afër të përfundojë sezonin e rregullt pa asnjë humbje.
Përveç Dardanit, performancë tepër të mirë ka pasur edhe Ahmed Bashir që ka kryer ndeshjen me 24 pikë, 14 kërcime në këtë fitore të vështirë të bardhekaltërve mysafirë.
Në anën tjetër lufta e Rahovecit ka qenë për çdo lavdatë. Fred Richardson ka kryer ndeshjen me 34 pikë e 9 kërcime, ndërsa Deshon Minnis ka luajtur me 24 pikë, 5 asistime e 9 kërcime.
Pas kësaj ndeshjeje Prishtina ka bilans 27-0 një xhiro para fundit të sezonit, ndërsa Rahoveci tash bëhet 17-10.
Në xhiron e fundit Prishtina pret fitore të sigurt ndaj Prizrenit, ndërsa Rahoveci të njëjtën ndaj Lipjanit.