SIGAL PRISHTINA - KERASAN PRISHTINA

Sigal Prishtina 40+ ndaj Kerasanit
14 October, 2017 @15:23
Ashtu edhe siç pritej, Sigal Prishtina ka kaluar lehtë përballjen ndaj rivalit lokal që kryesisht luan me lojtarë të ri dhe potencial, Kerasan Prishtina, duke e mposhtur 98-52.
Bardhekaltërit e drejtuar nga Ahmet Kandemir, kanë pasur vështirësi vetëm në 5 minutat e para të ndeshjes, derisa Kerasani kishte krijuar epërsi 4-8.
Por më pas u këndellën dhe në çdo fund çerek shënuan mbi 20 pikë, për të mposhtur me 46 pikë dallim Kerasanin.
Kjo ishte fitorja e tretë me radhë për Sigal Prishtinën në kampionat, ndërsa Kerasani ka pësuar humbjen e dytë nga tre ndeshje të zhvilluara deri më tani.
Te Sigal Prishtina më efikasi sot ka qenë Wayne Martin me 18 pikë të shënuara. Granit Rugova ka shënuar 14 pikë, ndërsa Kandemir i dha mundësi thuajse të gjithë lojtarëve të provohen në këtë ndeshje.
Kerasani në anën tjetër, që duket që ka potencial të lojtarëve, është dalluar me Gent Shalën, që ka shënuar 14, si dhe Kujtim Ujkanin, që ka shënuar 11 pikë tjera.
Në xhiron që vjen, Sigal Prishtina i shkon Trepçës, ndërsa Kerasan Prishtina Boreën.