SPANJA - KOSOVA

TOPSPORTI / A.P
Spanja vs. Kosova, spanjollët me kërkesa skandaloze!
9 March, 2021 @17:00
Pasi që në llogarinë zyrtare në Twitter e quajti Kosovën “territor” dhe jo republikë apo shtet, Federata Spanjolle e Futbollit bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme tashmë duket se po përgatisin një protokoll të veçantë për ndeshjen me Kosovën, raporton MARCA.
MARCA shkruan që Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës ka kërkuar që Kosova të mos cilësohet si shtet sovran gjatë organizimit të ndeshjes, himni i Kosovës të konsiderohet vetëm si “muzikë” për territorin e Kosovës (e jo si himn i një shteti), si dhe flamuri i Kosovës assesi të mos vendoset afër flamurit spanjoll para ndeshjes.
Ky protokoll skandaloz padyshim që duhet të pranohet nga FIFA në mënyrë që të aplikohet, ndërkohë që na mbetet të shihet se a do të reagojë FFK-ja në lidhje me këtë.
Ndeshja mes Spanjës dhe Kosovës luhet më 31 mars të këtij muaji në Spanjë dhe është e vlefshme për kualifikimet drejt Botërorit të vitit 2022.