KTHEHET BOSTON
Super Isaiah, Celtics hapin serinë
23 April, 2016 @9:14
Në ndeshjen e tretë të zhvilluar në TD Garden ndërmjet Bostonit dhe Atlantas, fitues dolën vendasit, të cilët nën udhëheqjen e Isaiah Thomas arritën të fitojnë në shtëpi dhe tashmë rezultati i serisë ngushtohet në 2-1 në të mirë të Hawks.
Bostoni e filloi ndeshjen në mënyrë fenomenale duke shënuar 37 pikë që në çerekun e parë dhe epërsia solide u mbajt deri në çerekun e tretë, çerek në të cilin Atlanta u rikthye në lojë. Madje mysafirët në një moment të çerekut të katërt arritën të krijonin epërsi, mirëpo Celtics nuk lejuan befasi dhe e fituan ndeshjen me rezultat 111-103.
Ylli i ndeshjes ishte Isaiah Thomas me 42 pikë të shënuara, 16 prej të cilave vetëm në çerekun e parë. Te Atlanta më i dalluari ishte Jeff Teague me 23 pikë, mirëpo kjo ishte e pamjaftueshme për triumfin e skuadrës së tij.
Tashmë rezultati nga 3 ndeshjet e para është 2-1 në të mirë të Atlantas, me ndeshjen e ardhshme që luhet përsëri në TD Garden.