ORGANIZATORI
Të dëshmojmë se basketbolli është sporti Nr. 1
17 February, 2017 @11:55
Në konferencën e djeshme për shtyp të mbajtur në zyret e FBK-së, drejtori i Trepçës, Besim Braha, ka theksuar se qyteti i Mitrovicës dhe klubi i Trepçës janë dëshmuar për organizime të mëdha dhe një gjë e tillë nuk do të mungojë as kësaj radhe.
Ai ka theksuar se tash është momenti që të dëshmohet edhe njëherë se basketbolli është sporti numër një në Kosovë.
“Gjithçka është gati për fillimin e Turneut Final të Kupës së Kosovës. KB Trepça i ka kryer të gjitha detyrat që dalin nga Udhëzuesi për organizimin e Turneut Final të Kupës së Kosovës. Tifozët e të gjitha ekipeve gjysmëfinaliste do të jenë të pranishëm në palestër. Kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me Policinë, e cila do të jetë e gatshme të na shërbej në mënyrë që gjithçka të filloj dhe të mbarojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne jemi të kënaqur që mund t’ju ofrojmë adhuruesve të sportit, në këtë rast basketbollit në Mitrovicë një event kaq të madh siç është Turneu Final i Kupës së Kosovës. Ne premtojmë se në bashkëpunim me FBK-në do të dëshmojmë se basketbolli është numri 1 në Kosovë,” - kanë qenë fjalët e Brahës, shkruan faqja zyrtare e FBK-së.
Prej orës 16:00 në Minatori sot fillon festa e Kupës, ndërsa ceremonia hapëse mbahet në ora 19:00. Në ora 20:00 luhet ndeshja e dytë, ndërsa finalja të dielën në ora 19:30.