FINAL FOUR 2017
Katër lojtarë presin debutimin në Final Four
16 February, 2017 @17:32
Derisa në çdo çast po afrohen emocionet e Final Four-it të Kupës së Kosovës, katër basketbollistë do të kenë njëkohësisht edhe emocionet e debutimit me skuadrat e tyre.
Sigal Prishtina, Peja dhe Bashkimi do të paraqiten për herë të parë me përforcimet e tyre të reja në këtë fundjavë, ndërsa ndryshe nga dy të parat, Bashkimi duket të jetë më i përforcuari, pasi që do të debutojnë dy basketbollistë.
Te Sigal Prishtina debutues do të jetë amerikani 203 centimetra i gjatë, Mike Moser.
Moser ka arritur në Prishtinë javën e kaluar, ndërsa nesër do ta ketë rastin e parë në ndeshjen gjysmëfinale kundër Trepçës, për ta veshur fanellën bardhekaltër.
Te Peja debutues do të jetë slloveni Robert Abramovic.
29 vjeçari, nesër do të jetë organizator i lojës së pejanëve në ndeshjen kundër Bashkimit.
Kurse te ky i fundit, do të debutojnë dy përforcimet e rinj amerikanë, Antonio Jenifer dhe Garrius Adams.
Jenifer tashmë ka më shumë se një javë që po stërvitet me skuadrën, derisa Adams ka vetëm 4 ditë stërvitje me portokallezinjtë.