KAMERAT
Të drejtat televizive të ndara në mënyrë të barabartë
14 September, 2020 @13:45
Skuadrat e Superligës së Kosovës janë pajtuar të ndajnë në mënyrë të barabartë fitimin që vjen nga të drejtat televizive për sezonin 2020/21, ka bërë të ditur FFK-ja.
Për herë të parë, Superliga do të jetë jashtë transmetuesit të deritashëm Digitalb/Supersport dhe të drejtën këtë vit e ka fituar ArtMotion, që ka ofertuar me 380 mijë euro.
“Klubet në mënyrë unanime vendosen për ndarjen e mjeteve në mënyrë të barabartë siç ka qenë deri më tash. Krerët e FFK-së ofruan gatishmëri maksimale për të gjitha klubet dhe gjithashtu së bashku u darkorduan që të bëjnë më të mirën që niveli i futbollit në Kosovë të ngritet sa më lart në të gjitha aspektet,” është thënë në njoftimin e Federatës.
Kështu, nëse mjetet që do të mirren nga transmetuesi do të ndahen në mënyrë të barabartë dhe të gjitha do të shkojnë te klubet, atëherë me një llogari të thjeshtë matematikore i bie që secili ekip i Superligës të marrë nga 38 mijë euro për sezonin 2020/21.
Këtë stinor Superliga do të ketë 10 skuadra pjesëmarrëse, që ka arritur më në fund procesin e shkurtimit të ekipeve pas shumë vitesh, ndërsa ekipet që do të garojnë për titull, dalje në Evropë dhe mbijetesë janë: Drita, Gjilani, Ballkani, Prishtina, Feronikeli, Llapi, Trepça‘89, Drenica, Besa e Arbëria.
Nga skuadrat pjesëmarrëse, Arbëria është debutuese këtë stinor në Superligë - pasi që ka arritur për herë të parë të sigurojë elitën e futbollit kosovar.
Në anën tjetër, skudarat tjera duket të jenë stabile dhe pritet të jetë një luftë e madhe mes tjerash si për titull ashtu edhe për mbijetesë.