PALLACANESTRO VARESE
Të njohim Varesen, rivalin e Prishtinës
7 February, 2019 @12:05
10 tituj të kampionit në Itali, 10 finale radhazi, 2 Kupa të Kupës së Evropës, 3 Kupa Interkontinentale, 4 Kupa të Italisë, 5 Kupa kampioni të Evropës (Euroliga e sotme) dhe një Superkupë e Italisë është lista e trofeve dhe të arriturave të Pallacanestro Vareses, rivalit të radhës në FIBA Europe Cup.
Bardhekaltërit e drejtuar nga Damir Mulaomerovic do të kenë punë të vështirë në TOP 16 të FIBA Europe Cup. Dueli i parë zhvillohet më 6 mars në Prishtinë, ndërsa i kthimit më 13 mars në Itali.
Lojtarët e dalluar të Vareses
Serbi Aleksa Avramovic është lojtari më i dalluar i ekipit italian. Avramovic ka mesatare prej 16.2 pikëve në Serie A. Pas tij vjen Thomas Scrubb. Scrubb që luan si alo, ka mesatare prej 13.7 pikëve për ndeshje dhe 8 asistimeve mesatarisht. Ndërsa i jashtëzakonshëm është edhe alo-qendra Dominique Archie, që luan me mesatare prej 11.9 pikëve dhe 4.9 kërcimeve.
Pesëshja e ekipit italian përbëhet nga Roland Moore (SHBA), Aleksa Avramovic (SER), Thomoas Scrubb (BeM), Dominique Archie (SHBA) dhe Tyler Cain (SHBA). Ndërsa pesëshes ndihma i vjen nga italianët Matteo Tambone, Antonio Iannuzzi, Nicola Natali dhe Giancarlo Ferrero që bashkë me belgun Jean Salumu dhe dy lojtarë të tjerë kompletojnë ekipin e parë.
Stafi dhe stinori
Ekipi drejtohet nga trajneri Attilio Caja, që ka tre ndihmës: Matteo Jemoli, Raimondo Diamante dhe Massimo Bulleri.
Këtë stinor në Serie A Varese ka bilanc prej 10 fitoreve dhe 8 humbjeve deri tash dhe është në pozitën e shtatë nga 16 ekipe sa bëjnë pjesë aty.
Në FIBA Europe Cup Varese ka përfunduar Grupin K me bilanc 4 fitore e 2 humbje dhe është kualifikuar në TOP 16 nga pozita e dytë e grupit.
Në këtë grup, Varese është mposhtur vetëm nga Dinamo Sassari (ku luan reprezentuesi i Kosovës Scott Bamforth) dhe nga Donar Groningen (rivali që kishte eliminuar Prishtinën nga Basketball Champions League).
Në fazën e parë grupore, Varese ka përfunduar e para në Grupin F me bilanc 5-1, duke lënë pas Alba Fehervarin, Rilski Sportistin dhe Porton.