DRENICA 2-1 DRITA

Fotot: KFDrenica & DritaFC/fb
Të pamposhtur në shtëpi, Drenica i bëri telashe Dritës
6 March, 2022 @22:12
Një përballje me ekipe që kanë synime të ndryshme, sot në Bajram Aliu i takoi Drenicës, që fitoi duelin e luftuar në lloq ndaj Dritës, 2-1 [Fatlum Gashi 7, Kreshnik Uka 45+1p. - Marko Simonovski 46].
Goli i shpejtë i Fatlum Gashit që vrapoi rreth 20 metra i papenguar për të shënuar nga afro 18-metra në portën e Faton Malokut i dha epërsinë vendasve.
Gëzim i madh në taborin e Drenicës, që po shkëputet nga pjesa përfundimtare e renditjes, duke krijuar tashmë edhe distancë ndaj Prishtinës.
Për të qenë gjithcka edhe më e ëmbël, Drenica fitoi penallti në fund të pjesës së parë, ndërsa Kreshnik Uka ishte i pagabueshmë duke shënuar për 2-0.
Me të nisur pjesa e dytë Marko Simonovski uli epërsinë e vendasve. Ai shënoi nga një pozitë e vështirë, ndërsa tentoi edhe më tej për barazim, por terreni i papërshtatshëm më shumë i konvenoi vendasve, që më vonë me kundërsulme patën edhe dy raste të mira me Ukën për të shënuar, por shutat e tij s’gjetën rrjetën.
Drenica me fitore bëhet me 31 pikë, 5 më shumë sesa pozita e gjashtë Prishtina. Drita, bën hap prapa në luftë për titull, derisa ekipi pëson për herë të dytë me radhë, pas asaj të xhiros së kaluar nga Ballkani!