SEMSETTIN BAS
Trajneri i Pejës tregon kundërshtarët më të rrezikshëm në Superligë
21 October, 2021 @23:47
Trajneri i Pejës, Semsettin Bas, është shprehur të jetë i lumtur me fitoren e ekipit të tij ndaj kampionit aktual të Superligës, KB Ylli.
Mirëpo, ai ka theksuar se jo vetëm mysafiri, por edhe ekipi i tij ka mungesa, ku ka përmendur Erdem Ilter, Rron Grapci dhe Leonard Mekaj si mungesa të sotme.
“Ylli është kampioni i fundit. Ka qenë vështirë. Në pjesë të parë mbrojtja nuk shkoi si duhet, u përmirësuam edhe më shumë në pjesë të dytë, për t’u këndellur në fund. Kemi pasur edhe ne mungesa si Erdem, Grapci e Leo,” ka thënë ndër të tjera Bas.
Ndërkaq, pasi që me sonte përfundoi cikli i parë i ndeshjeve të Superligës, ku secila skuadër është ndeshur së paku njëherë me secilën skuadër të elitës, Bas u pyet për ekipin më të rrezikshëm që e kishte përballë tij në këto xhiro.
“Nuk mund të them një. Por Ylli, pastaj Trepça dhe Ponte [Prizreni v.j.] kanë qenë më të rrezikshmet. Bashkë me Pejën këto janë katër skuadrat me fuqi të barabarta,” ka thënë ai.