KUPA E KOSOVËS: PRISHTINA - TREPÇA
Trepça pëson debakël nga Prishtina
27 February, 2019 @18:16
Prishtina është treguar tepër e fortë për Trepçën në Final 8 të Kupës së Kosovës. E përforcuar me reprezentuesin e Kosovës, Malcolm Armstead dhe lojtarin Rodney Bullock, bardhekaltërit kanë qenë të pamëshirshëm ndaj mitrovicasve.
Prishtina ka shënuar në tre çerekët e parë nga 26 pikë në koshin e gjelbërezinjëve, derisa epërsinë e kanë shtuar çerek pas çereku për të treguar forcën e madhe në krahasim me kundërshtarin, 99-58 [26-10, 26-13, 26-8 dhe 21-27].
Bullock ka qenë më efikasi në debutim te bardhekaltërit me 19 pikë të shënuara e 12 kërcime, ndërsa përveç tij pikë dyshifrore në fitore kanë shënuar edhe Ahmed Bashir 16, Mikaile Tmusic 14, Divine Myles 12 dhe Dardan Berisha 11.
Te Trepça pika më ndriçuese e ekipit ka qenë Besnik Azemi me 18 pikë e 8 kërcime, ndërsa Aaron Anderson me 15 pikë dhe Samir Zekiqi me 11 sosh kanë qenë të pamjaftueshëm për t’i bërë ballë prishtinasve.
Loja si lojë nuk kishte ndonjë histori për tu përmendur. Prishtina që prej fillimit në avantazh të thellë, duke shkuar sigurt në fitore, derisa Trepça me fuqinë që kishte bëri mjaft.
Prishtina me këtë fitore kalon në gjysmëfinale të Kupës, ku pret fituesin e ndeshjes Feronikeli - Ylli.