MUSTAFË MEROVCI
Në Kupë dëshmojmë cilësinë e ekipit
26 February, 2019 @14:53
Ekipi i ri i basketbollit në Kosovë, KB Feronikeli, është për herë të parë në histori të klubit pjesë e tetëshes përfundimtare të Kupës së Kosovës.
Skuadra që s’ka pësuar humbje në Ligë të Parë dhe kërkon që shpejt-e-shpejt të arrijë Superligën, në Kupë dëshiron të dëshmojë cilësinë e ekipit.
Kapiteni i ekipit të Feronikelit, Mustafë Merovci, që kanë qenë pjesë e shumë skuadrave në Superligë dhe është lojtar me përvojë, ka thënë se duke dhënë maksimumin ekipi do të dëshmojë cilësinë.
ORARI I NDESHJEVE dhe SKEMA E KUPËS
“Ne jemi shumë të kënaqur që do të jemi pjesë e Final 8 të Kupës së Kosovës. Përballë do ta kemi një skuadër cilësore si KB Golden Eagle Ylli dhe do të japim maksimumin. Synimet tona janë që nga Liga e Parë e Kosovës të hyjmë në Superligën e Kosovës, ndërsa sa i përket Final 8 ne premtojmë se do të dëshmojmë basketboll cilësor dhe do të mundohemi të jemi rival të denjë të Yllit,” ka thënë Merovci në konferencën e organizuar sot nga FBK-ja.
Nëse Feronikeli do të arrijë të befasojë Yllin në çerekfinale të Final 8, atëherë në gjysmëfinale do të ketë punë ndaj favoritit absolut, Prishtinës.
Gjithashtu, vlen të përmendet se për herë të parë FBK-ja në Final 8 do të ndajë edhe medaljen e bronztë, ku do të ndeshen dy humbësit e ndeshjeve gjysmëfinale.