QËNDRIM AJAZAJ
Të fokusuar për fitore
26 February, 2019 @14:41
Për herë të dytë radhazi do të jenë pjesë e garave të Final 8 të Kupës, ndërsa KB Prizreni s’do të mjaftohet me pjesëmarrje aty. Në stinorin e kaluar ekipi paraqitej me emrin KB Kalaja në Final 8 të Kupës, ndërsa këtë stinor, debutues në Superligës, paraqiten me emrin KB Prizreni.
Basketbollistët bardhezinj nga qyteti i vjetër do të kërkojnë që të mposhtin rivalin lokal në çerekfinale të Final 8 për të arritur në katërshen më të mirë të garës, e për të shpresuar në medalje.
Kapiteni i ekipit të Prizrenit, Qëndrim Ajazaj, në konferencë për shtyp ka theksuar se ekipi i tij do të hyjë i fokusuar në ndeshje për të dalë fitues.
ORARI I NDESHJEVE dhe SKEMA E KUPËS
“Jemi përgatitur për duelin me KB Bashkimin. E njohim mjaft mirë se kundërshtar, andaj do të bëjmë përpjekje që të shënojmë fitore dhe kështu të avancojmë tutje në Final 8 të Kupës. Nuk do ta kemi lehtë, sepse Bashkimi është një skuadër mjaft e fortë dhe kjo është vetëm një ndeshje, andaj do të hyjmë të fokusuar që nga minuta e parë e deri te fundit dhe besojmë se do të dalim fitues nga kjo ndeshje,” ka thënë Ajazaj sot në konferencën e përbashkët për shtyp të ekipeve organizuar nga FBK-ja, një ditë para fillimit zyrtar të garave të Final 8.
Në rast se ekipi i Prizrenit kalon Bashkimin në çerekfinale të Kupës, atëherë në gjysmëfinale do të ketë kundërshtarë fituesin e duelit Rahoveci - Don Bosko.
Gjithashtu, vlen të përmendet se për herë të parë FBK-ja në Final 8 do të ndajë edhe medaljen e bronztë, ku do të ndeshen dy humbësit e ndeshjeve gjysmëfinale.