KUPA E KOSOVËS: BASHKIMI (F) - PRISHTINA (F)
Prishtina arrin finalen
27 February, 2019 @15:35
Skuadra e vashave të Prishtinës është finalistja e Kupës së Kosovës në basketboll. Bardhekaltërat kanë mposhtur Bashkimin në përballjen gjysmëfinale duke krijuar distancë në rezultat në pjesë të dytë të ndeshjes.
Epërsia e madhe e Prishtinës së drejtuar nga Fidan Shatri në çerek të parë 25-10, u ul në çerek të dytë nga ekipi i Edin Kërveshit për pjesën e parë Bashkimi F 32-39 Prishtina F.
Mirëpo, në pjesë të dytë kur pritej rikthimi i kampioneve, ato hasën në rezistencë të fortë nga prishtinaset për të humbur mundësinë për të marrë trofeun e parë të vitit në basketbollin kosovar.
Kështu dy minuta para fundit, Prishtina mbajti distancën rreth 10 pikëshe të krijuar dhe pa ndonjë dramë të madhe kah fundi, arriti të shkojë në finale 76-69 duke fituar me 7 pikë epërsi.
Më efikaset te Prishtina kanë qenë Tykyra Williams me 22 dhe Irma Konjusha me 21 pikë, derisa Braennan Farrar kreu duelin me double-double prej 15 pikëve dhe 11 kërcimeve.
Te Bashkimi, 18 pikët e Danisha Shawit dhe 17 të tjera nga Mari Stewart nuk mjaftuan për të siguruar finalen.
Në finale Prishtina do të takohet me Penzën, që kishte mposhtur më parë Vëllaznimin bindshëm 71-37.
Ndeshja finale e Kupës së Kosovës në kategorinë e femrave luhet të dielën më 3 mars me fillim prej orës 14e30.