VJEN FITORJA E PARË!
Urim Statovci sjell fitoren e parë të Fushë Kosovës në Superligë
11 October, 2023 @17:02
Fushë Kosova më në fund ka marrë fitoren e parë të stinorit në Superligë. Sot, plotësisht të merituar ndaj Gjilanit, duke e mposhtur ekipin mysafir në “Sami Kelmendi” të Lipjanit me rezultat 2-0. Të dyja golat për Fushë Kosovën i shënoi qendërsulmuesi i ekipit, Urim Statovci, që ia bëri edhe sefte golave në elitë këtë stinor, për përfundimtaren Fushë Kosova 2-0 Gjilani [Urim Statovci 39’ pen., 79’].
Futbollistët e Burim Shalës i janë gëzuar pa masë kësaj fitoreje që u jep shpresa atyre për një cikël të dytë edhe më të mirë në Superligë, pasi që me këtë ndeshje përmbyllën ciklin e parë të dueleve në elitë. Përndryshe, kjo ka qenë ndeshja e parë e Fushë Kosovës pa pranuar gol, që edhe ka qenë kyqe në golat e pastajmë.
E Statovci si sulmues tipik, pas golit të parë të shënuar nga penalltia në pjesë të parë, ka shfrytëzuar gjatësinë e tij për të shënuar edhe golin e dytë të ndeshjes pas krosimit të zëvendësuesit Dorent Hajdari, për të mposhtur Gjilanin dhe për t’i dhënë kokëdhimbje me humbjen e pestë të shënuar ekipit të drejtuar nga Gentjan Mezani.
Fushë Kosova me këtë fitore mbetet e fundit në renditje tabelare (e dhjeta) por tash ka 5 pikë nga 9 ndeshje, ndërsa Gjilani i teti në renditje, ka 8 pikë nga po aq ndeshje.