INCIDENTI
Uzas i rrahur, përjashtohet nga ekipi
15 March, 2014 @15:19
Basketbollisti i parë lituanez që pat shkelur në Kosovë, Rokas Uzas, është përfshirë në një rrahje të madhe me bashkëlojtarin e tij dhe kapitenin e ekipit të deridjeshëm, Miroslav Petkovic.
Uzas dhe Petkovic ia kishin nisur fjalosjes gjatë ndeshjes së ekipit të tyre Starwings Basel, derisa në zhveshtore ka ardhur deri te një përleshje e madhe mes tyre - ku mediat zvicerane kanë shkruar se dëshmitarët okular kanë menduar se Uzas ka vdekur pasi që një gjak në vëllim të tillë asnjëherë nuk kishin parë në tokë.
Uzas ka përfunduar në spital ku pas trajtimit të nevojshëm mjekësor, bashkë me maqedonasin Petkovic kanë marrë ‘vizën’ nga klubi për të shkuar kudo që dëshirojnë, duke i përjashtuar nga ekipi.
Sportal ka njoftuar se ish lojtarit të Bashkimit në stinorin e kaluar, Uzas, i është thyer hunda dhe njëra këmbë, derisa edhe gjykata zvicerane ka marrë masa ndaj dyshes në fjalë për shkak të incidentit.
Uzas kishte qenë pjesë e Bashkimit të Prizrenit stinorin e kaluar të Superligës.