VITIA
Vitia nga rruga në palestër
10 November, 2016 @19:45
Klubi i parë i basketbollit në Viti u hap zyrtarisht me datën 22 shtator të vitit 2015.
Të rinjtë e këtij qyteti, me ndihmën e trajnerit Nehat Rexhepi, i cili mori iniciativën për ta sjellë këtë sport në Viti, u njoftuan me basketbollin.
Stërvitjet dhe ndeshjet e para në kushte të vështira u zhvilloheshin në shkollën fillore “Bafti Haxhiu”, derisa po në këtë shkollë është krijuar idea për ta hapur klubin basketbollistik KB Vitia.
Pastaj stërvitjet u organizuan në një palestër në Ferizaj, derisa pas zyrtarizimit të klubit, Vitia që në ndeshjen e parë në Ligën e dytë të basketbollit arriti të shënoj fitore kundër Llapit me rezultat 78-42.
Pas shënimit të fitores historike për Vitinë, themeluesi i klubit, gjithashtu trajneri Nehat Rexhepi, ka dhënë dorëheqje për disa obligime personale, por skuadra vazhdon të punojë ende.
Te Vitia ekzistojnë të gjitha grupmoshat për të stërvitur, kurse të rinjtë e këtij qyteti nga rruga e kanë mundësinë që të stërviten në mënyrë shkollore.