SPANJA 2014
Xhokeri kontestues për Botërorin 2014
1 February, 2014 @21:59
Brazili, Finlanda, Greqia dhe Turqia kanë fituar xhokerin për të shkuar në Kampionatin Botëror që mbahet sivjet në Spanjë. Katër reprezentacionet, bashkë me të tjerat, të kualifikuarat sipas rregullave do t’i kuptojnë kundërshtarët e tyre të grupeve të hënën në shortin që hidhet në Madrid, në kryeqytetin e Spanjës.
Finlanda kishte shokuar botën e basketbollit me suksesin në Kampionatin Europian, Sllovenia 2013, pasi që kishte mposhtur favoritët si Sllovenia, Rusia e Greqia. Përkundër se nuk arritën në çerekfinale të Sllovenia 2013 për tu kualifikuar në Spanja 2014, Finlanda do të jetë pjesëmarrëse në Botërorin e sivjetëm.
Turqia e fitoi xhokerin për shkak se ishte fituese e medaljes së argjendtë në Kampionatin Botëor të vitit 2010, derisa këtë të drejtë për shkak të suksesve të mëhershme e fituan edhe Greqia e Brazili.
Por, nga kandidatët për të fituar njërin nga 4 xhokerët për pjesëmarrje si: Rusia, Gjermania, Italia dhe Kina - filluan kritikat dhe ata hoqën dorë nga procesi për arsye të ndryshme, derisa italianët dhe gjermanët ishin më të ashpër duke protestuar për kontribut monetar të përfaqësueseve të pranuara në Botëror.
Tashmë dihen të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror Spanja 2014, derisa shorti siç u cek edhe më lartë, hidhet të hënën.
Pjesëmarrësit në Spanja 2014: Angola, Argjentina, Australia, Brazili, Kroacia, Republika Dominikane, Egjipti, Finlanda, Franca, Greqia, Irani, Korea, Lituania, Meksikoja, Zelanda e Re, Filipinet, Porto Rikoja, Senegali, Sërbia, Sllovenia, Spanja, Turqia, Ukraina dhe SHBA.
Kampionati Botëror Spanja 2014 mbahet nga 30 gusht deri më 14 shtator të këtij viti me qytetet mikrpritëse si Barcelona, Bilbao, Granada, Gran Canaria, Madrid dhe Sevilla.