GAME 5: RAHOVECI - YLLI
Ylli shkëlqen, arrin finalen historike
4 May, 2021 @21:56
Skuadra e Golden Eagle Yllit, duke e mposhtur Rahovecin në ndeshjen e pestë gjysmëfinale të Play Offit me rezultat 72-85, u kualifikua në finale të Superligës, për herë të parë paslufte.
Ylli çerekun e parë e mbylli me 4 pikë epërsi. Këtë epësi skuadra suharekase arriti ta ruaj edhe në 10 minutëshin e dytë të ndeshjes.
Në çerekun e tretë Rahoveci e ngushtoi epërsinë në 2 pikë, derisa çereku i katërt ishte një dramë e vërtetë.
Epërsia kalonte herë te Rahoveci herë te Ylli, kurse në minutat e fundit të ndeshjes, gabimin e Altin Morinës e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë Erjon Kastrati e më pas vreshtarët u dorëzuan në sekondat e fundit.
Elyjah Clark me 28 pikë ishte koshashënuesi më i mirë te skuadra suharekase. Clark shënoi 8 herë nga 14 tentimet e tij nga vija e treshit.
Përveç Clark u dalluan edhe Erjon Kastrati me 24 pikë, Demetris Morant me double-double prej 12 pikëve e 13 kërcimeve dhe Gëzim Morina me 12 pikë të tjera.
Te Rahoveci u veçuan Darrell Davis me 29 pikë e 11 kërcime, Ed Daniel me 21 pikë e 8 kërcime dhe Alban Veseli me 13 pikë e 9 kërcime.
Ylli e mposhti Rahovecin në serinë gjysmëfinale me rezultat 3-2 dhe u kualifikua në finale të Superligës për herë të parë në histori të klubit, pasluftës.
Skuadra suharekase në finale do të përballet me fituesin nga dueli Prizreni-Peja, që pritet të vendoset fati i ndeshjes, pas incidenteve që ka ndodhur në ndeshje.