BARAZIM NË DERBIN E KREUT
Zëvendësuesit shpëtojnë Liverpoolin nga Foresti ambicioz
15 January, 2025 @0:34
Lideri i Premier Ligës, Liverpool, është dashur të kthehet në lojë për të siguruar një pikë dhe për të mbajtur dallimin gjashtë pikësh në krye të tabelës ndaj sfiduesit befasues këtë stinor, Nottingham Forest.
Forest, që kërkonte fitoren e shtatë me radhë në elitë, për herë të parë që prej vitit 1922, mori epërsinë pas tetë minutash lojë, kur sulmuesi Chris Wood u tregua klinik para portës kundërshtare pas pasimit të Anthony Elangës.
Ekipi i Nuno Espirito Santos mbijetoi pa brenga pjesën e parë të lojës, derisa po kërkonin fitoren e dyfishtë ndaj Liverpoolit këtë stinor. Kjo zgjati derisa trajneri i Liverpoolit futi në lojë zëvendësuesit me ndikim të menjëhershëm në lojë.
Diogo Jota, që posa ishte futur në lojë, shënoi pasi pranoi topin nga korneri i zëvendësuesit tjetër, Kostas Tsimikas. Tsimikas e Jota u futën në lojë në minutën e 65-të të ndeshjes, ndërsa goli i barazimit erdhi në minutën e 66-të. Saktë pas 22 sekondave pasi që Jota u fut në fushë!
Portugezi tentoi edhe dy herë për të përmbysur rezultatin, por Matz Sels bëri dy mbrojtje të mira. Më pas edhe Mohamed Salah pa tentimin e tij të bllokuar në vijë të portës, derisa Liverpooli dominoi në pjesë të dytë të ndeshjes. Në fund, Nottingham Forest 1-1 Liverpool [Wood 8’ - Jota 66’].
Liverpooli lider me 20 ndeshje të luajtura ka 47 pikë, ndërsa Nottingham Forest me 21 ndeshje të zhvilluara ka 41 pikë, pas kësaj xhiroje që po luhet në mesjavë. Nëse Arsenali nuk merr pikë këtë mesjavë, të mërkurën ndaj Tottenhamit, atëherë Forest do ta mbyllë xhiron në pozitë të dytë!