FITORE MINIMALE DHE E VLEFSHME
Havertz ngrit Arsenalin në pozitë të dytë
28 December, 2024 @1:20
Gjermani Kai Havertz ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes, ndërsa Arsenal ka shënuar fitore ndaj Ipswich Townit këmbëngulës, për të dalë në pozitë të dytë të renditjes tabelare të Premier Ligës.
Vendasit fituan ndeshjen me golin e shënuar në minutën e 23-të të ndeshjes, kur Leandro Trossard mori topin në të majtën, për të krosuar për Havertzin që prej afërsie preku topin aq sa për ta futur në rrjetë, Arsenal 1-0 Ipswich Town.
Ekipi i Mikel Artetës dominoi me 83% posedim në fillim të ndeshjes, për ta lënë kundërshtarin të frustruar pa top. Më pas Gabriel Jesus mendoi se shënoi, duke futur topin nën këmbë të Arijanet Muricit, por goli iu anulua për shkak të ofsajdit.
Lufta e Liam Delapit në sulmin e mysafirëve nuk mjaftoi para dyshes William Saliba dhe Gabriel në qendërmbrojtje të Arsenalit, derisa më pas ky i fundit nuk arriti të shënojë nga afërsia e Havertz gjithashtu nuk e konkretizoi një rast të mirë në pjesë të dytë.
Përfundimisht, 18 ndeshje për Arsenalin me 36 pikë, 6 më pak se lideri Liverpooli. Ipswich Town në zonën e rrezikshme, i parafundit në renditje me 12 pikë nga 18 ndeshje, ka 3 pikë më pak sesa ëolvesi që është në zonë të shpëtimit!