LIVERPOOL NUK FAL
Salah i jashtëzakonshëm, Liverpool forcohet në krye
26 December, 2024 @23:31
Fitore e pritur edhe pse erdhi me pak më shumë vështirësi sesa që pritej, por Liverpool ka tejkaluar edhe Leicester Cityn 3-1 [Gakpo 45’+1, Jones 49’, Salah 82’ - Ayew 6’] e Ruud Van Nistelrooyit për të siguruar tre pikët e radhës në Premier Ligë, si dhe për të ngritur epërsinë në krye të renditjes tabelare, pasi që Chelsea u mposhtë në shtëpi nga Fulhami të enjten pasdite.
Leicester City ka humbur pesë nga shtatë ndeshjet e fundit, por la me gishta në gojë të gjithë në “Anfield Road” pas një përfundimi të mençur të aksionit, të cilin Jordan Ayew e konkretizoi që në fillim të lojës. Durimi në pjesë të parë ishte i madh te vendasit, kur panë rastet e Mohamed Salah dhe Andy Robertson të kthehen nga shtylla, derisa Cody Gakpo nuk shënoi një gol të bukur me efe, për ta lënë portierin kundërshtar pa gjasa, për 1-1!
Me të filluar pjesa e dytë Liverpool mori avantazhin përmes një kombimini të shpejtë në zonë, ku shënoi Curtis Jones (49’), ndërsa mysafirët do të mund të vajtojnë pas ndeshjes rastin e humbur nga Patson Daka gjatë rezultatit 2-1 për vendasit, që ndoshta do të kishte mund të sjellë fund tjetër. E, për të qetësuar gjithçka aty ishte Salah, që i dha siguri të gjithëve në stadium me golin e tij, për fitore 3-1, tre pikë të radhës dhe një hap tutje në kryesim të renditjes tabelare të Premier Ligës.
Për të bërë këtë fitore edhe më të rëndësishme, kujtojmë që Liverpool ka 42 pikë nga 17 ndeshje të luajtura, shtatë më shumë sesa ndjekësi i parë Chelsea dhe tetë më shumë sesa Nottingham Forest i tretë, ndërsa për dallim nga këta ka edhe një ndeshjen “në xhep” pas shtyerjes së duelit me Evertonin për shkak të kushteve atmosferike.
Leicester City edhe pse në po tregon diçka të re me Van Nistelrooyin në krye të ekipit, me humbjen e dhjetë të stinorit ka rënë në zonën e rrezikshme (pozita 18) ku ka 14 pikë nga 18 ndeshje.