PREMIER LEAGUE
Shkarkimi i dytë brenda javës në Premier League!
9 January, 2025 @17:40
Shkarkimi i dytë i javës në Premier League!
Pas spanjollit Lopetegui që u shkarkua nga West Hami dje, sot punën e ka humbur Sean Dyche, kryetrajneri i Evertonit.
Muajin e kaluar, Evertoni kaloi në pronësi të Friedkin Group, të cilët filluan menjëherë shqyrtimin e situatës së trajnerit të skuadrës. Skuadra nga Merseyside është prej skuadrave me futbollin më negativ në ligë dhe jashtë zonës së rrezikshme ndodhet vetëm për faktin që Ipswichi, Leicesteri e Southamptoni kanë mbrojtje tejet të dobëta. Kjo ka ndikuar që pronarët e rinj të kërkojnë ndryshim dhe të shkojnë drejt emërimit të një trajneri më modern.
Zëvendësuesi i Sean Dychet nuk është bërë i ditur ende, por spekulimet e ndryshme për kryetrajnerin e radhës te skuadra e Evertonit veçse kanë filluar.
Dyche drejtimin e skuadrës së Evertonit e mori në janar të vitit 2023, kur e zëvendësoi Frank Lampardin. Edhe në maj të vitit 2023, e edhe në maj të vitit 2024, Dyche e shpëtoi këtë skuadër pa rënë në Championship. Madje, në sezonin e fundit skuadra e Evertonit shpëtoi ndonëse ishte dënuar nga FA me heqje të 6 pikëve për shkak të shkeljes së rregullave të fair play-it financiar.
Sonte skuadra e Evertonit në ndeshjen që e luan në FA Cup ndaj Peterborought do të drejtohet nga dy ish-lojtarët dhe legjendat e klubit, Seamus Coleman dhe Leighton Baines.