SERIA FINALE
A do të vendoset të martën në Karagaç?
10 May, 2021 @0:10
Seria finale e PlayOffit të Superligës së Kosovës në basketboll me fitoren e Golden Eagle Yllit të dielën mbrëma në 13 qershori ka shkuar 2-0 në të mirë të suharekasve.
Kampion i Kosovës 2020/21 do të shpallet skuadra që arrin 3 fitore. Ndërsa mundësia e suharekasve për të arritur historinë do të jetë që të martën, më 11 maj kur edhe zhvillohet dueli i tretë i serisë.
E a do të arrijnë këtë djelmoshat e drejtuar nga Adis Beciragic, mbetet të shihet, pasi që edhe loja e Pejës varet nga shumë faktorë që ndikuan në 2-0 për suharekasit.
Pejës në ndeshjen e ardhshme do t’i kthehet AJ Walton, i cili ishte suspenduar për dy ndeshje për shkak të incidentit në përballjen e fundit të serisë gjysmëfinale ndaj Ponte Prizrenit.
Ndërkaq, në anën tjetër pritet të shihet se a do të jetë në gjendje të këndellet LeRon Dendy, që u lëndua në ndeshjen e fundit të serisë.
Gjithashtu, Dragan Radovic trajner i Pejës ka bërë të ditur se edhe Leonard Mekaj ka luajtur me lëndim në përballjen e dytë.
Rikthimi i Waltonit do t’i jep shpresë pejanëve në ndeshjen e tretë të serisë, ndërsa mbetet të shihet nëse dyshja do të jenë në gjendje të mirë për përballjen e tretë.
Pejës i duhet tash patjetër fitorja për të shpresuar ende në titull kampioni. Ndërsa Golden Eagle Ylli - është një fitore larg titullit kampion dhe për këtë në dispozicion ka edhe 3 ndeshje ta arrijë. Deri tash në Superligë të Kosovës, asnjë skuadër nuk ka arritur të bëj rikthimin e madh prej 2-0 në 2-3. E a do t’ia bëj sefte Peja kësaj, mbetet të shihet.