GJILANI 1-0 LIEPAJA

Albert Dabiqaj vendimtar, Gjilani fiton
7 July, 2022 @21:57
Gjilani ka shënuar fitore në përballjen e parë të rrethit të parë kualifikues për Ligë të Konferencës sonte, duke e mposhtur Liepajan letoneze me rezultat minimal, 1-0 [Albert Dabiqaj 37].
Ka qenë Albert Dabiqaj, njeriu që ka vendosur ndeshjen, pas një krosimi të Elton Cales, duke qëlluar bukur me kokë për epërsi - që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Dabiqaj dha sinjale për gol edhe më parë, pasi që në minutën e dhjetë të ndeshjes qëlloi shtyllën e letonezve.
Pas dominimit në pjesë të parë, Gjilani ra paksa nga loja në pjesë të dytë ndëra mysafirët plotësisht të këndellur u vërsulën për të shënuar.
Mirëpo, në disa raste mbrojtja, e në disa raste Enea Koliçi në portë, edhe fati, ruajtën epërsinë e Gjilanit për të shpresuar në rezultat të mirë në ndeshjen e kthimit një javë më pas në Letoni dhe për të kërkuar rrethin e dytë kualifikues të garës.
Kjo ka qenë ndeshja e parë zyrtare e Gjilanit nën drejtimin e trajnerit shkupjan Zekirija Ramadani, derisa ekipi përkundër të gjithave arriti atë që e deshi - fitoren.
Kështu, Gjilani u bë ekipi i parë dhe i vetëm nga Kosova që arriti të shënojë fitore në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues në gara evropiane këtë stinor.