ZHVILLIME

BOROZANI/Erdis Driza
As sllovenët s’e pranojnë ABA ligën
9 March, 2015 @22:04
Pas mosnjohjes së ABA ligës nga FIBA, edhe Federata e Basketbollit të Sllovenisë ka bërë të ditur se nuk e njeh më këtë ligë, përkundër se ekipet sllovene bëjnë pjesë aty.
Sidoqoftë, duket se ky do të jetë stinori i fundit i ekipeve sllovene që të marrin pjesë në këtë ligë, pas mosnjohjes së kësaj lige nga FIBA, që u bë e ditur sot.
Bordi i FIBA-së në mbledhjen e djeshme të saj në Gjermani ka marrë vendim që të mos e njeh më këtë ligë për shkak se drejtuesit e ligës nuk i kanë dhënë dokumentacionin e kërkuar dhe nuk i janë përmbajtur rregolloreve të saj.
“Kërkojmë ligë më të fortë vendore dhe nëpërmjet asaj të sigurojmë daljen në gara europiane. Të gjitha federatat nacionale duhet t’i përmbahen rregullave të FIBA-së. Kështu ka qenë në të kaluarën dhe kështu duhet të jetë në të ardhmen,” ka shkruar Federata e Basketbollit Slloven sot në komunikatën e saj, transmeton Kurir sot.
Në anën tjetër, gara tjetër ndërkombëtare regjionale, liga ballkanike, ku marrin pjesë ekipet kosovare, Sigal Prishtina dhe Peja, është njohur nga FIBA, pasi që drejtuesit e kësaj lige kanë dorëzuar tërë dokumentacionin e kërkuar dhe i kanë zbatuar në përpikmëri rregulloret e saja.
ABA liga e njohur si liga e Adriatikut përmban kryesisht ekipe të ish Jugosllavisë, ku dominojnë serbët dhe kroatët dhe u krijua si ligë rajonale prej nga ekipet nga këto vende të sigurojnë daljen në gara europiane, si Euroleague dhe EuroCup.