TREPÇA'89 SHËNON FITOREN E DYTË RADHAZI SI MYSAFIR
Bajraktari vendos, ‘89-shi fiton derbin ndaj Suharekës
29 September, 2023 @17:39
Një gol i të riut Milazim Bajraktari ka mjaftuar që Trepça’89 të kthehet në Mitrovicë me fitore nga stadiumi i qytetit i Suharekës, ku mposhti ekipin e Suharekës që derbin e xhiros së shtatë të Ligës së Parë - Grupi A.
Bajraktari shënoi nga afërsia, duke goditur me qetësi para portierit Ymeri, për t’i dhënë epërsinë skuadrës së tij, që doli të jetë edhe gol i fitores në fund. Suhareka 0-1 Trepça’89 [Milazim Bajraktari 51’]
Dueli nisi me akcione të mira të Suharekës, Fitim Susuri lëshoi rast të mirë në fillim të ndeshjes (5’). Prej minutës së dhjetë iniciativën e mori ‘89-shi, që pati disa raste. Por Ymeri nuk lejonte të tundej rrjeta e tij.
Njëjtë në pjesë të dytë Armend Gashi tentoi dy herë, por Ymeri gjithmonë ishte vigjilent, ndërsa pas atij momenti ka qenë Bajraktari që doli para portës së tij, pas një pasimi të gjatë, për të shënuar (51’). Edhe një rast i shpejt me kundërsulm nga të përzgjedhurit e Shpëtim Idrizit, por Bleon Sekiraqa qëlloi shtyllën e suharekasve.
Granit Begolli bëri disa ndërrime për të marrë plotësisht iniciativën. Mirëpo, përkundër dominimit dhe kontrollit, Suhareka assesi nuk arriti të kalojë Donat Kaqiun, që ka treguar disa mbrojtje tepër të mira, për t’i siguruar ekipit të tij fitoren.
Me këtë fitore, Trepça’89 kalon në vend të dytë të renditjes, duke e lënë pas Suharekës, që bie në të tretën sot. Mitrovicasit tash kanë 11 pikë pas gjashtë ndeshjesh, ndërsa suharekasit 10, pasi që pësuan humbjen e dytë sezonale.
Në xhiron që vjen, Trepça’89 do të ketë edhe një derbi. Kësaj radhe në “Riza Lushta” presin Dinamon lidere, ndërsa Suhareka do të kërkojë kthimin te fitoret në ndeshje ndaj Rahovecit.