DERI MË 2028

Ballkani promovon në ekip të parë edhe një xhevahir
11 June, 2023 @22:33
Pas suksesit të arritur me Lindon Emërllahun, që nga ekipi i juniorëve kaloi te ekipi i parë i Ballkanit vite më parë dhe tashmë është bërë pjesë edhe e reprezentacionit të Kosovës për grupmosha, Ballkani ka bërë të ditur sonte se edhe një lojtar ka mbushur syrin e drejtuesve të klubit me Ilir Dajën trajner për tu promovuar te ekipi i seniorëve.
Destan Bytyqi pritet të jetë xhevahir i radhës i ekipit kampion të Kosovës, i cili me 19 vjetët e tij do të jetë pjesë e klubit së paku deri në vitin 2028 me kontratë, ka bërë të ditur ndër të tjera skuadra nga Suhareka.
Ballkani, që ka fituar dy tituj kampioni radhazi në Superligë të Kosovës, këtë verë do të jetë pjesë e kualifikimeve për Ligë të Kampionëve, ndërsa sa i përket mesfushorit Bytyqit ai ka qenë kapiten i skuadrës së juniorëve të cilët u bënë nënkampionë të Kosovës në Superligën U-19 këtë stinor, 2022/23.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se talenti i shkollës së futbollit tonë, Destan Bytyqi, tashmë është grumbulluar me skuadrën e parë, nën urdhërat e trajnerit Ilir Daja. Futbollisti 19 vjeçar që me shiritin e kapitenit në krah, udhëhoqi juniorët, është ardhmëria e futbollit të Suharekës dhe mbarë vendit. Bytyqi do të jetë pjesë e klubit deri në vitin 2028.” — ka shkruar njoftimi i Ballkanit.◼️