ZYRTARIZOHET NDARJA ME DAJËN
Ballkani zyrtarizon largimin e Ilir Dajës
2 September, 2024 @13:48
Falemnderit Ilir Daja! Kështu ka shkruar fillimisht klubi kampion i Kosovës, me rastin e ndarjes me trajnerin që u solli atyre sukseset më të mëdha në histori të futbollit kosovar.
Tiranasi 57 vjeçar ka ndërprerë kontratën me FC Ballkanin, të cilën e kishte vazhduar në fillim të këtij viti deri në qershor të vitit 2026. Daja fitoi tre herë titullin kampion të Kosovës, ndërsa i siguroi dy herë suksesin më të madh në futbollin ndërkombëtar për një ekip nga Kosova - kualifikimin në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
“Tifozë të dashur, pavarësisht se në vazhdimësi kemi qenë të dakorduar për të vazhduar edhe më tej bashkë, tashmë ish-timonjeri ynë ka konsideruar se nuk ka më shumë çfarë të jap për klubin tonë”, ka shkruar ndër të tjera njoftimi i FC Ballkani sot.
Përndryshe, Daja do të bëhet pjesë e ekipit nga Tirana, Dinamo City - të cilët veçse kanë arritur marrëveshjen me trajnerin dhe gjatë prezantimit të tij pritet të kuptohen edhe kushtet dhe kohëzgjatja e kontratës së trajnerit në fjalë me klubin.