REAGIM I KLUBIT PRIZRENAS
Bashkimi ‘largon’ Shimën
7 January, 2016 @23:59
Bashkimi ashtu siç përfolej, ka ndarë rrugët me Gerti Shimën.
Jo për shkak të paraqitjeve të tij në fushë, por për shkak të sjelljeve të tija jashtë saj, ka bërë të ditur faqja zyrtare e klubit në Facebook sonte.
“Negociimi i tij me klube tjera pa dijeni të klubit ku luan, vardisje ndaj tifozëve të ekipeve tjera, inicimin e pasuksesshëm të reagimit të kinse pakënaqësisë me klub pa arsye, veprimi që më së paku është pritur: tentimi i Shimës që t’i bind lojtarët shtetas të huaj që të mos kthehen në Prizren pas pushimeve sepse menaxhmenti i klubit Bashkimi qenka mashtrues dhe nuk do t’i kryejë obligimet,” - kanë qenë disa pika nga reagimi i klubit që tregon arsyet pse e ka liruar lojtarin.
Tashmë, siç duket i gjithë mozaiku vjen në vend dhe Shima, që më parë ka bërë karrierë në Pejë dhe së fundi te Bashkimi, pritet të bëhet lojtar i ri i ekipit të Prishtinës.
“Pas prezentimit të ofertës që i është bërë nga Sigal Prishtina, Shima ka insistuar që me çdo kusht të largohet nga KB Bashkimi… Në rrethanat e krijuara menaxhmenti i klubit ka vendosur që nuk të vazhdojë me lojtarin në fjalë dhe me dëmshpërblimin e të cilit është dakorduar, i ka dëshiruar suksese kudo që vendos të vazhdojë karrierën,” shkruan më tej njoftimi i klubit portokall e zi nga Prizreni që bën të ditur edhe se ku do të shkojë lojtari në fjalë.
Në një prononcim të klubit ditë më parë ishte thënë se nuk do të ketë asnjë largim nga klubi, derisa tashmë doli e kundërta.
Shima ka qenë njëri ndër lojtarët më të dalluar të Bashkimit në pjesën vjeshtore të kampionatit, si në Superligë ashtu edhe në BIBL.