BEROE - BASHKIMI
Bashkimi ‘përshëndetet’ me Final Four-in
24 January, 2019 @19:06
Me humbje e ka mbyllur ndeshjen e xhiros së VIII ndaj Beroes në Bullgari skuadra e Bashkimit, për t’i shuar pothuajse plotësisht gjasat për një kalim në Final Four-in e BIBL-së.
Ndeshja filloi me një dominim absolut të vendasve, të cilët krijuan epërsi mbi 15 pikëshe pas 4-5 minutave lojë, mirëpo reagimi i prizrenasve në minutat e fundit të çerekut bëri që epërsia e vendasve të zvogëlohej dhe çereku i parë të mbyllej me rezultat 33-25. Gjithsesi, dallimi mes skuadrave u vërejt në 10-minutëshin e dytë, në të cilin Beroe shënoi plot 38 pikë, ndërkohë që pranoi vetëm 16, për të shkuar kështu në pushim mes pjesëve me epërsi të thellë 71-41.
34 nga gjithsej 41 pikët e Bashkimit në pjesën e parë u shënuan nga dyshja Steven Haney & Jordan Capps, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës dukej në gjumë.
Asgjë për t’u veçuar nuk kishte pjesa e dytë, me Beroen që e menaxhonte ndeshjen pa ndonjë problem. Pas 40 minutave lojë në Bullgari, rezultati shënonte 133-80 në të mirë të Beroes, që sonte e shënoi fitoren e shtatë në po aq takime të luajtura në BIBL sivjet.
Më të dalluarit te skuadra bullgare sonte ishin James White me 25 pikë, 9 kërcime e 4 asistime dhe Aleksandar Yanev me 22 pikë, 6 asistime e 2 kërcime, kurse në këtë humbje të Bashkimit u veçuan Jordan Capps me 37 pikë, 7 kërcime e 1 asistim dhe Steven Haney me 28 pikë, 3 kërcime e 2 asistime. Pra, nga 80 pikët e Bashkimit sonte, 65 u shënuan nga Capps dhe Haney!
Humbja e pësuar sonte bën që Bashkimi t’i humbë pothuajse përfundimisht gjasat për arritjen e Final Four-it të BIBL-së sivjet. Tri vendet e para për Bashkimin veçse kanë ikur, ndërsa për ta arritur Bashkimin vendin e katërt duhet që skuadra prizrenase t’i fillojë 3 ndeshjet e veta, e në të njëjtën kohë të shpresojë që Blokotehna nuk e fiton ASNJË nga plot 6 ndeshjet që i kanë mbetur asaj, një gjë që vështirë mund të ndodhë. Skuadrat në fjalë e kanë një përbalje mes vete në Prizren, të cilën Bashkimi duhet ta fitojë me mbi 50 pikë epërsi për t’u kualifikuar (gjithmonë në rast se Blokotehna i humbë edhe 5 ndeshjet e tjera që i kanë mbetur), pasi që në ndeshjen e parë ndaj Blokotehnas prizrenasit ishin mposhtur me rezultat të thellë 109-59. Rrjedhimisht, vetëm një mrekulli mund ta dërgojë Bashkimin në Final Four.