SPANJA - GREQIA
Befasi në Granada, kundërshtarët e Kosovës barazojnë
25 March, 2021 @22:36
Me barazim ka nisur rrugëtimi i Spanjës drejt Botërorit të Katarit.
Iberikët sonte befasisht barazuan 1-1 ndaj Greqisë në Granada, në takimin që ishte i vlefshëm për Grupin B kualifikues, grup në të cilin ndodhet edhe Kosova.
Epërsia spanjolle erdhi nga goli i Alvaro Moratas në minutën e 33’, kurse ballkanasit barazuan nga pika e bardhë përmes Bakasetas (57’).
Në vazhdim të ndeshjes, përkundër dominimit total dhe zëvendësimeve ofansive, Spanja nuk e gjeti dot golin e fitores dhe kështu u detyrua të pajtohet me një pikë, duke bërë që kreu i grupit pas xhiros së parë t’i takojë Suedisë, që sonte fitoi 1-0 ndaj Gjeorgjisë.
Para se të ndeshet me Kosovën në xhiron e tretë (31 mars), Spanja fillimisht takohet me Gjeorgjinë (28 mars), kurse Greqia fillimisht pushon në xhiron e dytë, e më pas përballet me Gjeorgjinë në xhiron e tretë (31 mars).