Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FUTSALL

Beni Simitçiu: Futsalli kosovar ka të ardhme premtuese

Foto: FutsalFeed

Beni Simitçiu: Futsalli kosovar ka të ardhme premtuese


17 May, 2021 @19:15

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës dhe trajneri i një prej skuadrave më të mëdha të futsallit në Çeki, Sparta, Beni Simitçiu, është intervistuar nga faqja e njohur që i dedikohet futsallit, FutsalFeed, ku ndër tjerash ka folur edhe lidhur me futsallin në Kosovë.

Lidhur me gjendjen e përfaqësueses, Simitçiu u shpreh se synon ta konsolidojë skuadrën dhe të luajë futsall modern.

“Kam marrë drejtimin e përfaqësueses në momentin më të keq, kur nuk u kualifikuan në garat kryesore dhe kur lojtarët më të mirë kaluan në kombëtaren e Shqipërisë, duke ma lënë skuadrën me një gjeneratë të vjetër lojtarësh.”

“Qëllimet janë të qarta, ta përtërijmë skuadrën, të gjejmë lojtarë të rinj të talentuar, t’i mësojmë dhe t’i ndihmojmë të fitojnë përvojë për ciklin e ardhshëm kualifikues, si dhe ta marrim maksimumin nga lojtarët e vjetër të cilët duhet t’i ndihmojnë bashkëlojtarët e rinj.” tha ai.

Më tej ai tha se i pëlqen që është pjesë e një misioni kaq vështirë dhe se pikërisht kjo e karakterizon profilin e tij si trajner, derisa shtoi se konsolidimi dhe loja moderne janë ndër qëllimet që synon t’i arrijë.

“Më pëlqejnë sfidat e mëdha e të vështira, dhe kjo sfidë është mjaft e madhe! Po e shijoj, është fiks ajo që më pëlqen!”

“Qëllimet dihen. Ta konsolidojmë skuadrën, të luajmë futsall modern. Ata që më njohin e dijnë se nuk jam njeri i sfidave dhe qëllimeve të vogla.”

I pyetur për nivelin e Ligës Kosovare të Futsallit, Simitçiu u shpreh se liga është në fillet e saj, por po zhvillohet çdo ditë e më shumë.

“Liga është akoma në ‘pelena’, pra në fillimet e saj, por po zhvillohet dita-ditës. 4-5 skuadra janë në nivel të mirë organizimi. Kanë filluar dhe të investojnë tek të huajt, prandaj pres që kualiteti i kësaj lige të rritet së shpejti.”

“Liga mund të zhvillohet pa mëdyshje atëherë kur do të ketë trajnerë të certifikuar dhe trajnuar. Prandaj unë jam këtu, të organizoj kurse për trajnerët dhe të nxjerr katër apo pesë trajnerë të rinj.”

Për fund, lidhur me talentët e rinj dhe shpresat e tij në ta, Simitçiu u shpreh se ekzistojnë mjaft talentë kosovarë, por ata duhet të punojnë shumë për t’i arritur majat.

“Kemi shumë talentë në Ligën Kosovare të cilët kanë një të ardhme të ndritur - Kelmendi, Dervishaj, Kamberi - dhe e gjitha varet nga ta.

“Lojtarët e rinj duhet të flejnë e të zgjohen me futsallin nëse duan të arrijnë diçka. Telefonët dhe rrjetet sociale duhet t’i lënë për më vonë dhe t’i dedikohen më shumë sportit. Ata duhet t’i dëgjojnë trajnerët e tyre sepse nuk ka trajner i cili nuk ka dëshirë që lojtarët e tij të përparojnë”, përfundoi ai.


 
Të gjitha lajmet nga Futsall Superliga