FINAL FOUR 2015 - SUHAREKË

Beteja e vështirë për finale
6 March, 2015 @9:03
Ajo çka ka arritur të bëj Ylli këtë stinor me rikthimin në elitë të basketbollit, është për lakmi për shumicën e skuadrave të Superligës.
Ylli ëndërron Kupën
Organizim i mirë i ndeshjeve, tifozëri në çdo lojë, përforcime të qëlluara që nga fillimi i stinorit dhe në fund - ekipi i drejtuar nga trajneri Agron Berisha, me plotë të drejtë kërkon që të bëj ëndrrën realitet - të fitojë Kupën e Kosovës.
Kjo për ekipin suharekas tashmë do të jetë edhe më lehtë për shkak të faktit se fituan organizimin e Final Fourit 2015 dhe do të kenë përkrahjen e madhe nga tifozëria.
Treshja e huaj, Najee White, Charles Hammork dhe Derrick Washington janë treguar të jenë ndër më të mirët në Superligë, derisa nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm kroati i ri Mario Pesut për shkak të lëndimit të pësuar.
Peja nga viti 2011, pa Kupë
Peja, në anën tjetër, stinorin e kaluar kishte dalë në mënyrë jo të hijshme nga Final Four 2014. Verdhezintjë kishin lënë ndeshjen gjysmëfinale ndaj Sigal Prishtinës për tu eliminuar nga garat.
Ndërsa në Final Fourin 2013 e humbën Kupën në finale ndaj Sigal Prishtinës, kur atëherë lojtari i Pejës, Dardan Berisha, nuk e kishte qëlluar shutin në sekondën e fundit për të fituar ndeshjen.
Për më tepër, në Final Four 2012, kur Peja ishte organizatore ata ishin mposhtur nga Bashkimi në gjysmëfinale të Kupës për të mos arritur finalen.
Kupa e fundit e fituar nga Peja është në Final Four 2011, ndërsa sot të përforcuar me basketbollistë që premtojnë dhe të kualifikuar direkt në Play-Off të ligës ballkanike - verdhezinjtë janë të motivuar tepër shumë që të arrijnë në finalen e së dielës për të luftuar për trofeun e parë në vend pas titullit kampion të fituar dy stinorë më parë.
Jozo Brkic, Drilon Hajrizi e Alban Veseli janë në formë të mirë - dhe me ndihmën e bashkëlojtarëve Peja do të mund të sillte gëzim të pashoq te publiku i vetë në rast të ardhjes te trofeu.
Atmosfera
Por një gjë është e garantuar: spektakli. Tifozëritë kanë siguruar se do të jenë pjesë e ndeshjes, derisa në parket do të zhvillohet beteja pikë për pikë për të arritur finalen e madhe.