ORARI I GARAVE
BOROZANI/ A. P.
BIBL gati programin, 6 ekipe pjesëmarrëse
24 September, 2018 @13:12
Liga Ballkanike e basketbollit sot ka bërë të ditur programin e garave për stinorin e XI të BIBL, ndërsa nga Kosova janë dy ekipe pjesëmarrëse.
Kampioni në fuqi Bashkimi dhe fituesja e Kupës, Prishtina, do të jenë pjesëmarrësit e konfirmuar në BIBL për këtë stinor, ndërsa tash ato kanë mësuar edhe kundërshtarët e parë në garë.
Bashkimi do të jetë nikoqir i Beroes në ndeshjen e parë që është përcaktuar të luhet më 17 tetor 2018, ndërsa Prishtina do të jetë mysafire e Kozuvit më 16 tetor 2018. Ndeshja tjetër e xhiros është mes Teutës dhe Akademik Bultex, 16 tetor 2018.
BIBL gjithashtu ka bërë të ditur se për shkak të angazhimeve të Prishtinës në FIBA Europe Cup, ndeshjet e bardhekaltërve mund të kenë lëvizje në terminet e paracaktuara.
Pjesëmarrës në BIBL këtë stinor janë: Teuta (Shqipëri), Akademik Bultex dhe Beroe (Bullgari), Kozuv (Maqedoni), Bashkimi dhe Prishtina (Kosovë).
Garat do të zhvillohen në sistem të ligës, ku çdonjëri ekip luan me ekipin tjetër brenda-jashtë dhe pas kësaj katër më të mirët sigurojnë PlayOffin e garës.
Para fillimit të stinorit për BIBL këtë stinor kishin aplikuar edhe KB Tirana dhe KB Shkupi, por më pas ato hoqën dorë nga pjesëmarrja.