EUROBASKET
Bosnja shpërthen në fund
8 September, 2013 @16:48
Bosnja e Hercegovina ka shënuar fitoren e dytë në Eurobasket, pasi e mposhti Maqedoninë me rezultat 62-54.
Boshnjakët kanë pasur paraqitje të mrekullueshme në çerekun e katërt, të cilin e fituan me rezultat 21-9.
Më i miri te fituesit ishte Mirza Teletovic me 22 pikë e 7 kërcime, derisa u ndihmua edhe nga Nihad Djedovic i cili realizoi 20 pikë, 7 kërcime dhe 6 asistime.
Tek maqedonët më të dalluarit ishin plejmekeri Bo McCalebb me 19 pikë e 6 kërcime dhe qendra e Atlanta Hawks, Pero Antic, me 17 pikë e 7 kërcime.
Spanja shkatëron Poloninë
Pas humbjes befasuese ndaj Sllovenisë, kampionja aktuale, Spanja, është kfillur tërësisht me dy fitore rresht.
Spanjollët kësaj radhe e mposhtën Poloninë me epërsi të thellë prej 36 pikëve, pranë rezultatit 53-89.
Pesë basketbollistë spanjollë e përmbyllën takimin me pikë dyshifrore, kurse prej tyre më të dalluarit ishin Mark Gasol dhe Ricky Rubio, të cilët shënuan nga 15 pikë.
Në anën tjetër, te polakët koshashënuesi më i mirë ishte Przemyslaw Zamojski me 11 pikë.
Britania kalon Gjermaninë
Britania e Madhe ka shënuar fitore shumë të rëndësishme ndaj rivalit të drejtpërdrejtë, Gjermanisë.
Ekipi ishullor shënoi fitore me rezultat 81-74, falë lojës së mirë të dyshes Andrew Lawrence dhe Myles Hesson, të cilët e përmbyllën takimin me 23 pikë, përkatësisht 21 pikë e 11 kërcime.
Qendra gjermane Tibor Pleiss, i cili luajti me 20 pikë e 14 kërcime, nuk e kishte përkrahjen e mjaftueshme nga bashkëlojtarët për të regjistruar fitoren e dytë në Eurobasket.
Finlanda e Rusia pas dy vazhdimeve
Fituesi i ndeshjes ndërmjet Finlandës e Rusisë, u përcaktua vetëm pas 50 minutave lojë.
Loja e rregullt përfundoi me rezultat 67-67, kurse as pas vazhdimit të parë pesë minutësh nuk u ndryshua barazpesha në rezultat, pasi rezultati në semafor tregonte shifrat 75-75.
Në fund fitores i’u gëzua Finlanda, e cila fitoi me rezultat 86-83 dhe kështu Rusia vazhdon të mbetet pa fitore në Eurobasket.
Më i miri i ndeshjes ishte rusi Aleksey Shved me 25 pikë, kurse për fituesit më së shumti kontribuoi Shawn Huff me 20 pikë dhe 9 kërcime.
Rezultatet e ndeshjeve
Bosnja e Hercegovina | Maqedonia | 62 - 54 | |
Polonia | Spanja | 53 - 89 | |
Britania e Madhe | Gjermania | 81 - 74 | |
Finlanda | Rusia | 86 - 83 | 2 OT |